Superliga

53 milionë eurot për “Bechtel&Enkan” ia humbën Kosovës gjashtë super stadiume

Kostoja shtesë prej 53 milionë eurove që shteti i Kosovës u detyrua t’ia paguajë kompanisë “Bechtel & Enka”, po të kthehej si investim në infrastrukturën e sportit do të rinovoheshin gjashtë stadiume të cilat i përmbushin kriteret e UEFA-s.

Kjo duke u bazuar në koston e rinovimit të stadiumit të Qytetit në Prishtinë e cila kap shifrën prej 8 milionë eurove, në vendin tonë mund të ishin rinovuar edhe gjashtë stadiume tjera në total me 48 milionë euro, kështu duke i kursyer thesarit të shtetit edhe pesë milionë euro tjera, shkruan GazetaBlic.

Për pagesën shtesë prej 53 milionë eurove të cilat shteti i Kosovës ia dha kompanisë “Bechtel&Enka” për shkak të vonesave në kryerjen e pagesave të më hershme, përgjegjësinë nuk po e merr asnjëri nga zyrtarët e shtetit.

E kjo natyrisht i kushton më së shumti shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

Vlen të theksohet se që nga përfundimi i luftës problemi më i madh në sportin e Kosovës është infrastuktura, gjë që pengon në zhvillimin e një loje të bukur dhe zbeh mundësinë e zbulimit të talentëve – të cilët në moshë të re heqin dorë nga sporti për shkak të kushteve të mjerueshme që janë në shumicën e stadiumeve futbollistike në vend.

Fillimi i punimeve për rinovimin e stadiumit të qytetit në Prishtinë ishte një lajm mjaft i mirë për gjithë sportistët, që prisnin një gjë të tillë ndër vite. Tashmë Kosova është pranuar në UEFA dhe FIFA dhe për të marrë pjesë në ndeshje të arenës ndërkombëtare, atëherë stadiumet duhet të jenë të nivelit të lartë dhe jo si në foton e mëposhtme.

Rinovimi i stadiumit të Prishtinës filloi në vitin 2016 dhe tani punimet janë në fazën finale. Sipas zyrtarëve të FFK-së rinovimi i këtij stadiumi do të kushtojë 8 milionë euro. Stadiumi i Qytetit në Prishtinë tashmë do të jetë vendi i FC Prishtinës dhe kombëtares së Kosovës. Me përfundimin e punimeve, sikurse Prishtina ashtu edhe Kosova do të luajnë ndeshjet në arenën ndërkombëtare në këtë stadium. Por pse të mos zhvillohet edhe më shumë futbolli i Kosovës? Pse ekipet tjera të Superligës të mos kenë stadiume sikurse Prishtina apo edhe Trepça? Liga përbëhet nga 12 ekipe dhe dy prej tyre për çdo vit do të sigurojnë daljen në Evropë (një në Ligën e Kampionëve dhe një në Europa League). Çdo klubit kosovar i duhet një stadium me kriteret e UEFA-s.

Paratë e dhëna për kompaninë e ndërtimeve “Bechtel&Enka” mund të ishin shfrytëzuar në sport – pa marrë parasysh në cilin dhe do të kishin ndihmuar shumë skuadrat për të ardhmen. Nëse marrim për bazë çmimin e rinovimit të stadiumit të Prishtinës – atëherë mund të kuptojmë se gjashtë stadiume të futbollit në shtetin e Kosovës mund të ishin rinovuar në përmasat e stadiumit të kryeqytetit. Një vend i vogël si Kosova me 2 milionë banorë, me shumë talenta në sportin e futbollit me gjashtë stadiume me nivelin e UEFA-s do të prodhonte shumë lobim, para apo me një fjalë mund të na shndërronte në një Brazil të vogël./GazetaBlic/L.J/

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Me te shikuarat

Fansat e Futbollit Kosovar

Copyright © 2018Themetf

To Top