Liga Pare

Vëllaznimi rikthehet në Superligë, kjo është mundësia dhe procedura?!

Gjatë ditëve të fundit është spekuluar për një fuzionim të mundshëm të Vëllaznimit dhe KEK-ut, i cili do të ishte rasti i dytë pas atij Vëllaznimi – Getoari, që ndodhi para 14 vjetësh. Mirëpo, tani gjërat janë më të komplikuara dhe rrjedhimisht edhe ideja më e vështirë për t’u realizuar.

Për të ndodhur diçka e tillë, skuadra duhet të ndryshojë emrin dhe kjo nuk është shumë e thjeshtë, sidomos për një klub me traditë aq të gjatë siç është Vëllaznimi. “Tash për tash nuk ka asgjë konkrete, madje ne nuk kemi marrë as ofertë dhe as kërkesë zyrtare nga KEK-u. Mirëpo, edhe nëse vjen një ofertë e  tillë, unë dyshoj që dikush e merr guximin t’ia ndërrojë emrin Vëllaznimit, ndërsa neni 61 i propozicioneve të garave e kërkon pikërisht ndërrimin e emrit”, ka thënë një zyrtar i Vëllaznimit për Insporti.

Ai ka shtuar se është më e logjikshme të bëhet një organizim i mirë dhe skuadra të kthehet pas një viti në Superligë se sa t’i ndërrohet emri Vëllaznimit. E gjithë kjo ide ka dalë si pasojë e gjendjes jo të mirë financiare te KEK-u, që duket se do ta ketë vështirë të organizohet për të garuar në Superligë.

Ndërsa, si një mundësi tjetër që Vëllaznimi të kthehet në Superligë shihet metoda e zëvendësimit. “Nëse eventualisht KEK-u heq dorë nga Superliga, atëherë mendoj se Vëllaznimi do të mund ta zëvendësonte si skuadra me plasmanin më të mirë që u largua nga Superliga, madje me 44 pikë, që nuk ka ndodhur asnjë herë më parë. Në anën tjetër, unë nuk besoj që zyrtarët e KEK-ut marrin vendim për shuarjen e klubit, prandaj mundësia që të heqin dorë nga Superliga është më logjike se sa shuarja e klubit që do të ndodhte në rast fuzionimi me Vëllaznimin”, ka shtuar zyrtari i skuadrës gjakovare.

Mundësinë e fuzionimit e ka mohuar edhe Istref Klinaku, aksionar në KEK. “Nuk ka logjikë të shuhen dy klube dhe të formohet një i tretë me emër të ri”, ka thënë Klinaku për Insporti.com. Ai ka shtuar se ende nuk është definuar situata e KEK-ut, por edhe kjo do të ndodhë së shpejti.

“Deri më 1 korrik skuadra është në pushim. Së shpejti do të vendoset gjithçka. Lojtarët që janë pa kontrata kanë pasur mundësi të lëvizin, por brenda pak ditësh do ta dimë saktë se me çfarë potenciali dhe me çfarë synimesh do të hyjmë në kampionatin e ri”, ka shtuar Klinaku. Bazuar në deklaratat e zyrtarëve të të dyja skuadrave duket tepër e vështirë që ideja e fuzionimit të bëhet realitet.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Me te shikuarat

Fansat e Futbollit Kosovar

Copyright © 2018Themetf

To Top